Reagimi ndaj gjuhës së urrejtjes, përmirësimi i shëndetit mendor të adoleshentëve

AMAD përfundoi projektin për luftën kundër gjuhës së urrejtjes që mblodhi së bashku aktorë të ndryshëm. Nëpërmjet aktiviteteve të këtij projekti 83 adoleshentë të moshës 14-18 vjeç u përfshinë përmes eseve duke ndarë eksperiencën e tyre në përjetimin e gjuhës së urrejtjes. Qindra të tjerë u përfshinë në sondazhin kombëtar për gjuhën e urrejtjes, si dhe në fokus grupet e diskutimeve.

Zëri i adoleshentëve ishte aktiviteti kryesor në këtë projekt, i cili pati edhe mbështetjen e Televizionit Kombëtar Shqiptar, RTSH, i cili nëpërmjet një Memorandumi të nënshkruar mirëkuptimi i dha një hapësirë javore televizive këtij projekti për të informuar mbi element të ndryshëm të gjuhës së urretjes dhe shëndetin mendor. Intervistat e zhvilluara në studion televizive gjatë programit të mëngjesit “Ora 7” u dhanë zë këtyre problemeve dhe fuqizuan të rinjtë që të jenë më të hapur për të folur për këtë temë: Reagimi për t’u përmirësuar.
Aktorët institucionalë reaguan gjatë tryezës së diskutimeve dhe shprehën gatishmërinë dhe angazhimin e tyre si ekip në trajtimin e kësaj çështjeje. Palët e interesuara që morën pjesë përfaqësonin: Komisioneri Shqiptar për Mbrojtjen nga Diskriminimi, Autoriteti i Medias Audiovizive, Ministria e Arsimit dhe Sportit, Ministria e Brendshme, Bashkia Tiranë, Bashkia Shijak, Shoqata e Prindërve të Fëmijëve me Aftësi të Kufizuara, Kongresi Kombëtar Rinor, Instituti Shqiptar i Medias, Këshilli Zyra e Evropës në Shqipëri, Open Mind Spectrum Albania (CSO), ShKEJ (CSO), drejtorë të shkollave të mesme në Tiranë, mësues i shkollave të mesme në Shijak dhe gazetar në Radio Tirana, Sociolog dhe gazetar në Club TV.