Muzika për mirëqenie të shëndetit fizik dhe mendor

Në studion e “Herët në MCN” me gazetaren Etelina Nikolla, drejtoresha ekzekutive e AMAD, Voltiza Prendi, u shfaq me bashkëpunëtorët: Orjola Idrizi, drejtoreshë e Institutit të Nxënësve që nuk Dëgjojnë,; Pëllumb Legisi, mësues dhe terapeut muzike; nxënësit Emanuela Gjini dhe Algend Gjici.

Në kohën e dhënë në dispozicion u theksuan përfitimet e terapisë muzikore në sistemin psiko-motorik dhe emocional të çdo personi. Mbi të gjitha u vu theksi tek vëmendja dhe puna e vijueshme e AMAD për sa i përket kontributit në përmirësimin e shëndetit mendor. Megjithatë, ashtu siç u shpreh në intervistë znj. Prendi, në këto aktivitete më shumë se sa instrumenti në vetvete është metoda e dedikuar dhe e posaçme që përdoret duke e personalizuar rast pas rasti. Nxënësit Emanuela dhe Algend shprehën përjetimet dhe emocionet e tyre psiko-fizike në “prekjen” e tingujve përmes vibrimeve.

Tingulli dhe vibrimet e tij në vetvete janë instrumente që kapërcejnë barriera fizike dhe dimensionet e perceptimit te e ndërgjegjshmja për të mbërritur te e pandërgjegjshme, përtej materies.