Fuqizimi i Liderëve të Ardhshëm

Ky projekt synon të përmirësojë mirëqenien dhe zhvillimin e të rinjve, duke rritur aftësitë e tyre në lidership dhe duke u përfshirë në proceset vendimmarrëse. Nëpërmjet këtij projekti AMAD kontribuon në rritjen e ndërgjegjësimit të të rinjve dhe informacionit në lidhje me qeverisjen vendore dhe procesin e integrimit në BE, si dhe në rritjen e të menduarit kritik dhe aftësive drejtuese të të rinjve.

 

Një sërë aktivitetesh të dedikuara do të fokusohen në kuptimin e funksionimit të administratës vendore (detyrat, struktura dhe mbi të gjitha mekanizmat që sigurojnë përfshirjen e qytetarëve). Pjesa e dytë e këtyre aktiviteteve do të lidhet veçanërisht me historinë dhe vlerat e BE-së, si dhe me procesin e integrimit në BE, (d.m.th. çfarë është? Cilat janë përfitimet e tij? Si mund të kontribuojmë në të?).

 

Duke zhvilluar aftësi të forta lidershipi, pune në grup dhe komunikim, të rinjtë do të mund të drejtojnë projekte rinore, të japin rezultate që kënaqin të gjithë dhe madje të ndikojnë pozitivisht në jetën e tyre personale duke përmirësuar mënyrën se si ndërveprojnë me të tjerët. Ligji nr. 75/2019 “Për Rininë” u miratua në nëntor 2019, duke mundësuar integrimin dhe bashkërendimin e shumë dokumenteve ligjore dhe politike të hartuara më parë. Sipas nenit 7 të këtij ligji, njësitë e qeverisjes vendore janë përgjegjëse për organizimin dhe ofrimin e aktiviteteve për mbështetjen e mirëqenies së të rinjve dhe për krijimin dhe zhvillimin e infrastrukturës rinore. Edhe pse korniza ligjore është duke avancuar, zbatimi faktik ka shumë hapësirë për përmirësim.