Dita Ndërkombëtare e të Drejtave të Njeriut 2022 dhe 16 ditët e aktivizmit të fushatës #NukHeshtim
Sot, në Ditën Ndërkombëtare e të Drejtave të Njeriut përmbyllim 16 ditët e aktivizmit kundër dhunës me bazë gjinore. Gjatë këtij viti, 25 nëntor – 10 dhjetor 2022, fushata e aktivizmit u fokusua në përfshirjen përmes foto-mesazheve e përfaqësuesve të ndryshëm të shoqërisë sonë. Përcjellja e mesazheve ndërgjegjësuese kundër dhunës me bazë gjinore solli frymën e aktivizmit gjithëpërfshirës dhe fuqizuese të potencialit njerëzor në shpalosjen e vlerave tona, bazuar në respekt reciprok, tolerancë, mirëkuptim dhe mirësi.
Personat e përfshirë, në 24 foto-mesazhet individuale të publikuara, janë figura aktive në komunitet dhe përfaqësojnë një mori formimesh intelektuale të fushave, interesa dhe grup-mosha të ndryshme, të tilla si: gazetarë, aktivistë, punonjës të administratës, mësimdhënës të cikleve të ndryshme (që nga kopshti deri në universitet), juristë, punonjës rinorë, sociologë, nxënës, studentë, muzikantë, politologë, punonjës të shëndetësisë, promovues të turizmit, staf drejtues të institucioneve arsimore etj. Mesazhet erdhën si nga gra dhe vajza ashtu edhe nga burra e djem, duke përcjellë më fuqishëm mesazhet kundër dhunës me bazë gjinore, jo thjesht kundër dhunës ndaj grave dhe vajzave.
Qysh prej fillimit në 2018, një ndër fushatat e AMAD ka qenë ajo #NukHeshtim, e cila si fjalë kyçe ka patur reagimin ndaj dhunës, në çfarëdo lloj mjedisi, forme apo target-grupi. Forcimi i funksionimit të Mekanizmit Kombëtar të Referimit të dhunës ka qenë synimi thelbësor i aktiviteteve të ndërmarra në vijimësi nga AMAD. Një ndër drejtimet e fokusit të kësaj fushate është edhe dhuna me bazë gjinore.
Shfletoni galerinë e foto-mesazheve më poshtë për të zbuluar më shumë rreth 16 ditëve të aktivizmit nga AMAD, 2022.